2.1 milionë banorë të regjistruar në Maqedoni, mbi 600 mijë prej tyre janë shqiptarë.

Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) i Maqedonisë së Veriut ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë, të realizuara në vitin 2021. Sipas këtyre rezultateve, del të jetë se 29.5 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë shqiptarë, prej të cilëve 24.3 për qind janë banorë rezidentë.

Drejtori i EShS-së, Apostoll Simonovski ka thënë se “Popullsia e regjistruar është 2 milionë e 97 mijë e 319 qytetarë. Popullsi rezidente janë 1 milionë e 836 mijë e 713 qytetarë, ndërsa 206 mijë e 606 janë jorezidentë”.

Nga 2 milionë e 97 mijë e 319 qytetarë të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, i bie se shqiptarë janë afërsisht 620 mijë, kurse 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 3.98 për qind turq, 2.36 romë, 1.18 serbë, 0.87 boshnjakë dhe 0.44 vllehë, thuhet ndër të tjera në paraqitjen e raportit të EShS-së mbi regjistrimin e popullsisë.

Kur bëhet fjalë për banorët rezidentë, 58.44 për qind janë maqedonas, 24.3 për qind shqiptarë, 3.86 për qind turq, 2.53 për qind romë, 1.3 për qind serbë, 0.87 për qind boshnjakë dhe 0.47 për qind vllehë.

Lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përgëzuar për punën e bërë të EShS-së dhe atyre që kanë ndihmuar në regjistrimin si proces.

“Republika e Maqedonisë së Veriut pas 20 viteve ka një pasqyrë më të qartë, sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend”.

“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan Regjistrimin si proces që filloi në muajin Mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit e që përfundoi në Shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar lideri i BDI-së në rrjetin social Facebook.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti

“Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8% (nga 20.04% në 2002)”.

Pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë më 30 shtator të vitit të kaluar, EShS kishte publikuar në faqen e saj zyrtare se janë regjistruar, gjithsej, 1 milion e 832 mijë e 696 persona, 568 mijë e 175 amvisëri dhe 837 mijë e 255 banesa.

Ndërsa, jashtë shtetit, sipas EShS, janë 204 mijë e 805 persona që janë vetëregjistruar.

Regjistrimi i vitit 2021 është kryer nën protokolle të rrepta shëndetësore dhe në kushte të pandemisë Covid-19, sipas një metodologjie të re të EUROSTAT-it, ku për herë të parë është kombinuar një model – përveç mbledhjes së të dhënave direkt nga popullata në terren, të dhëna nga p.sh. thirrur databaza e pararegjistrimit, ku me futjen e numrit të identitetit të qytetarit në aplikacionin e regjistrimit, tërhiqeshin automatikisht të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat e të dhënave në vend.

Në vitin 2002 është mbajtur regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut. Nga ai regjistrim kishte dalë se popullsia e përgjithshme ishte 2 milionë e 22 mijë e 547 persona. Gjithashtu, sipas rezultateve, kishte 564 mijë e 296 familje dhe 698 mijë e 143 banesa.

Sipas përkatësisë etnike, thuhej se maqedonas ishin 1 milion e 297 mijë e 981 ose 64.17%, shqiptarë 509 mijë e 83 ose 25.17%, turq 77 mijë e 959 ose (3.85%), romë 53 mijë e 879 ose 2.66%, serbë 35 mijë e 939 ose 1.78 %.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Maqedoninë e Veriut janë bërë, gjithsej, nëntë regjistrime, 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994 dhe 2002 dhe ky i vitit 2021.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika