Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, të hënën e 27 qershorit, gjatë vizitës së tij në Hagë, është takuar me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen në paraburgim, në Hagë.
I shprehur i befasuar me pozitivitetin e tyre, Arifi shpreson që Gjykata t’i shpall sa më shpejtë të pafajshëm.
“Sapo vizituam këtu vëllezërit tonë të cilët padrejtësisht janë në Hagë dhe për ta theksuar edhe njëherë respektin që e kemi ne në Luginë të Preshevës për udhëheqësitë e UÇK-së, ushtria e cila boshti dhe themeli i Republikës së Kosovës dhe pa të cilën as nuk kemi shtet”, është shprehur Arifi.
Përmes një video-incizimi, i pari i Preshevës i ka cituar disa nga frazat e ish-krerëve gjatë këtij takimi.
“Ne gjendemi në burg, por mendojmë pozitivisht edhe të mirën e gjithë kombit”, “Gajlen e Preshevës e kam si gajlen e Mitrovicës”, ishin disa nga fjalët që Arifit i janë ngulitur në mendje.
“Konsiderojmë se do të lirohen sa më shpejt dhe atë të në formë të pafajshëm dhe të kthehen në vendlindjet e tyre dhe në familjet e tyre. Deri atëherë shpresojmë që gjykata marrë parasysh kërkesat e shumta, të cilat në mënyrë institucionale janë drejtuar këtu që të mbrohen në liri”.
“Isha shumë i befasuar me pozitivitetin e të tre vëllezërve që janë këtu. Një nga fjalët që më ka mbetur nga të tretë në mendje është që ‘ne gjendemi në burg, por mendojmë pozitivisht edhe të mirën e gjithë kombit’. Por, edhe një nga fjala e ish-kryeparlamentarit ishte ‘gajlen e Preshevës e kam si gajlen e Mitrovicës’ dhe për neve është një brengë në vazhdimësi, por vjen koha që edhe për Preshevën do të bëhet mirë”, ka thënë Arifi.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të dielën e 19 qershorit kishte takuar në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Kështu kishte bërë të ditur për Portali D, Ilir Kërçeli – shef i kabinetit të kryetarit të kuvendit.
“Sot kemi përfunduar vizitën edhe tek Thaqi edhe tek Veseli”, kishte thënë Kërçeli.
Kryeparlamentari Konjufca teksa ka qëndruar për vizitë në Hagë, është takuar me disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim.
Gjatë të shtunës së 18 qershorit, Konjufca kishte takuar ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin si dhe Pjetër Shalën.