Raste të shumta të sulmeve kardiake në Klinikën e Kardiologjisë në gjashtë muajt e fundit

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinikën e Kardiologjisë, që nga fillimi i këtij viti, një mijë e 88 pacientë kanë qenë të shtrirë nga sulmi kardiak, 77 prej tyre kanë përfunduar të vdekur. Ndërsa, se pse ndodh sulmi kardiak dhe se pse ka shumë raste që sulmi kardiak ndodh pa ndonjë sëmundje të mëparshme, japin më shumë detaje të faktorëve dhe parandalimit të sulmit kardiak për Portalin Dukagjini, Kardiologët Afrim Poniku dhe Luan Përçuku

Ilustrim

Sulmet kardiake janë bërë një ndër sëmundjet më të përhapura dhe të papritura. Që nga një janari i vitit 2022 deri më 16 qershor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinikën e Kardiologjisë, janë trajtuar një mijë e 88 pacientë, prej të cilëve 77 kanë përfunduar të vdekur si rezultat i sulmit në zemër.

Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, drejtori i Kardiologjisë në QKUK, Lulzim Kamberi.

“Në Njësinë Koronare (Njësia ku trajtohen pacientet me sëmundje, ngushtim ose mbyllje) të arterieve koronare, nga një janari i vitit 2022 deri më 16 qershor janë trajtuar, apo kanë qenë të shtrirë një mijë e 88 pacientë, dhe 77 prej tyre kanë përfunduar të vdekur si rezultat i Infarktit të Miokardit (sulmit në zemër) ose edhe komplikimeve të tij”, ka thënë ai, për Portali Dukagjini.

Duke parë statikstikat vetëm nga fillimi i këtij viti, shihet se vdekjet nga sulmet kardiake janë të shpeshta dhe të papritura, pasi edhe nga njerëzit që janë në moshë të re, si dhe nga personat të cilët në dukje janë të shëndetshëm, mund t’u ndodhë një sulm kardiak i papritur, i cili mund të rezultojë edhe me vdekje.

Ilustrim, sulmi kardiak në zemër

Në lidhje më këto raste të shumta nga sulmi kardiak, Portali Dukagjini ka intervistuar Kardiologun në Klinkën e Kardiologjisë në QKUK, Afrim Poniku, i cili ka thënë se shkaktari kryesor i sulmit kardiak është mbyllja e ndonjërës prej damarëve të zemrës, të cilat e furnizojnë zemrën me gjak dhe materie ushqyese. E quajtur Arteroskleroza, e cila prek enët e gjakut në tërë trupin dhe veçanërisht të zemrës, kjo është një prej faktorëve të rrezikut për sulm kardiak.

“Infarkti i miokardit ndodh si rezultat i mbylljes se arterieve (damarëve) koronare të zemrës (zemra ka 3 arterie koronare), të cilat e furnizojnë zemrën me gjak dhe materie ushqyese. Shkaktari i infarktit apo mbylljes se ndonjërës prej enëve të zemrës është arteroskleroza. Arteroskleroza është sëmundje e cila i prek enët e gjakut në tërë trupin dhe veçanërisht enët e zemrës, ku e ngushton lumenin e arterieve si rezultat i një procesi që fillon qysh në fëmijëri dhe deri në vdekje”, është shprehur Poniku për Portalin Dukagjini.

Afrim Poniku, Kardiolog

Ndërsa, Poniku po ashtu ka thënë se sulmi kardiak i prek më shumë moshat e vjetra dhe më pak moshat e reja, po sipas tij, deri në moshën 60 vjeç, numri i sulmeve është më i lartë.

“Infarkti i miokardit i prek më shumë moshat e vjetra dhe më pak moshat e reja. Kryesisht i prek moshat 40 vjeç e sipër dhe me shtimin e moshës shtohet edhe numri i rasteve me infarkt. Dhe në moshën rreth të 60-tave numri është dukshëm më i lartë”, ka deklaruar ai për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, sa i përket gjinisë, Poniku ka thënë se gjinia mashkullore është më e prekur me këtë sulm. Po ashtu, sipas tij në vitet e fundit numri i rasteve ishte te moshat 40 vjeç, por siç ka theksuar ai, tani ka raste edhe në moshën 20-30 vjeç.

Ky ndryshim, sipas tij, vjen nga stili i jetesës, si përdorimi i substancave narkotike barnave të ndryshëm, duke theksuar sidomos steroidet dhe barnat e tjera që përdoren në mënyrë të pakontrolluar nëpër qendra të fitnesit.

Ilustrim

“Gjithashtu infarkti i miokardit me shume i prek gjininë mashkullore deri në moshën 60 vjeç, pastaj numri i rasteve shkon duke u barazuar te të dy gjinitë. Vitet e fundit numri i rasteve me infarkt, te moshat nën 40 vjeç bile edhe te moshat 20-30 vjeç, është në rritje e sipër për shkak të stilit te jetës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ai ka thënë se sulmet kardiake gjatë stinës së dimrit janë më të shpeshta në krahasim me stinën e verës.

Ndërsa, trajtimi i faktorëve të rrezikut per sulm dhe mbajtja nën kontroll e tyre sipas kardiologut Poniku, është ndryshimi i stilit të jetesës, të ushqyerit e shëndetshëm, rënia në peshë, aktiviteti fizik së paku tri herë në javë nga tri kilometra, ecje e shpejtë, zvogëlimi i stresit.

Po ashtu, Portali Dukagjini ka intervistuar edhe Kardiologun nga Spitali Amerikan në Kosovë, Luan Përçuku, i cili ka thënë se sulmet kardiake janë rritur shkak i moskujdesjes rreth masave të përgjithshme, sipas tij, konsumimi i tepërt i duhanit dhe alkoolit, ushqyerja jo e shëndetshme, e po ashtu mosaktiviteti fizik.

Luan Përçuku, Kardiolog

“Moskujdesi rreth masave të përgjithshme, si konsumimi i duhanit dhe alkoolit, ushqyerja jo e drejtë (me shumë yndyra të ngopura dhe kripë), e po ashtu mosaktiviteti fizik. Aktiviteti i zakonshëm në shtëpi nuk mjafton për të arritur efekte sa me të mira”, është shprehur Përçuku, për Portali Dukagjini.

Për të qenë më të shëndetshëm me një sistem imunitar më të fortë, duhet të hani mjaftueshëm fruta, perime dhe drithëra të pasura me fibra, të kufizoni konsumin e yndyrave

Përçuku ka shpjeguar se çfarë e shkakton sulmin kardiak në zemër. Sipas tij, sulmi kardiak zakonisht shkaktohet nga grumbullimi i gjakut që formon droçka gjaku, të cilat dërgojnë deri te mbyllja totale e damarit të zemrës, si pasojë e kësaj mosfurnizimi me gjak të dërgon te sulmi kardiak.

“Sulmi kardiak-infarkti i miokardit, zakonisht shkaktohet nga shkolitja e pllakës aterosklerotike, proces i cili intereferon edhe me pllakëzat/ trombocitet e gjakut, duke formuar kështu trombe (droçka gjaku) që dërgojnë deri te mbyllja totale apo e pjesshme e damarit të zemrës (arteries koronare) dhe si pasojë mosfurnizimin me gjak të asaj pjesëze të zemrës e cila ka qenë e varur për furnizim me gjak (oksigjen dhe materie ushqyese). Si rrjedhojë e kësaj kaskade procesesh, vjen deri te sulmi kardiak – infarkti i miokardit”, ka deklaruar Përçuku.

“Droçka gjaku” nga të cilat bllokohet damari i zemrës, si pasojë e kësaj mosfurnizimi me gjak të dërgon te sulmi kardiak.

Ndërsa, se çfarë ndodh menjëherë pas një sulmi kardiak, ai ka thënë se edhe gjatë sulmit pasojnë dhimbje shtrënguese në gjoks.

“Gjatë ose pas sulmit kardiak, pasojnë simptomat subjektive, si dhimbja shtrënguese e gjoksit (simptoma kryesore), por po ashtu mund të shfaqen edhe plogështia, mundimi, djersitja e kështu me radhë”, ka thënë ai, për Portali Dukagjini.

Por se deri ku mund të shkojë sulmi kardiak, kardiologu Përçuku ka thënë se ky sulm mund të dërgojë në arrest kardiak, që nënkupton ndaljen totale të punës së zemrës.

Gjithashtu, për arrestin kardiak, ai ka thënë se mund të shkaktohet nga shkaqe kardiake brenda zemrës, por edhe jashtë saj, për shembull gjakderdhja e madhe dhe e shpejtë dhe goditja e rrymës. Të dyja këto sipas tij, janë rrezik për jetën.

“Infarkti i miokardit mund të përcillet me komplikime të aspektit elektrik dhe morfologjik të zemrës, që mund të pasohen me arrest kardiak. Arresti kardiak mund të ndodhë për shkaqe kardiake të zemrës, por edhe për shkaqe ekstrakardiale, si jashtë zemrës. Shembull gjakderdhje e madhe dhe e shpejtë, goditje e rrymës/elektricitetit. Te dyja këto gjendje mund të jenë rrezik për jetën. Sa i përket simptomatologjisë aspekti kryesor është se te arresti kardiak, personi nuk ka vetëdije dhe se parametrat e tjerë vitalë (pulsi, tensioni arterial dhe frymëmarrja) mund të jenë të papajtueshme me jetën”, është shprehur Përçuku, për Portali Dukagjini.

Ndërkaq, faktorët kryesorë për rrezikun ndaj një sulmi kardiak, sipas tij janë shtypja e lartë e gjakut, sëmundja e sheqerit, probleme me metabolizmin po ashtu edhe situatat kronike stresuese.

Ilustrim

“Hipertensioni arterial, apo shtypja e lartë e gjakut, diabeti melit (sëmundja e sheqerit), dislipidemite (çrregullimet metabolike të yndyrave në gjak), konsumimi i duhanit dhe alkoolit, obeziteti (mbipesha dhe mosaktiviteti i rregullt fizik), dhe po ashtu, situatat kronike stresuese”, janë faktorët kryesorë për rrezikun e një sulmi kardiak, ka deklaruar Përçuku.

Kardiologu ka shpjeguar se pse ka shumë raste që sulmi kardiak ndodh pa ndonjë sëmundje të mëparshme.

“Kemi ndërprerje të furnizimit me gjak të një pjese të muskujve të zemrës, kjo mund të shkaktojë dhe problemet elektrike të zemrës që çon në arrest kardiak. Pra, shtypje dhe ndalim i punës së zemrës bëhet si rezultat i grumbullimit të gjakut në damarin e zemrës e që kjo nuk mund te parashikohet”, është shprehur ai, për Portali Dukagjini.

Ilustrim

Ndërkaq, për parandalimin e një sulmi kardiak, ai ka thënë se duhet të bëhen kontrolle ndaj ushqimit, konsumimit të duhanit dhe alkoolit, dhe moskeqpërdorimi i të konsumuarit të sheqerit industrial, kripës së kuzhinës, e cila sipas tij duhet të jetë e caktuar, rreth pesë gramë në ditë. Po ashtu, të bëhet aktivitet i rregullt fizik në baza ditore, si ecje dhe vrapim.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika