Me të ardhur nga Haga, atje ku po qëndrojnë në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca ngriti një shqetësim.
Sipas tij, Kosova duhet të krijojë një organ që kërkon llogari nga Gjykata Speciale, pasi sipas tij po ndodhin shkelje të të drejtave të njeriut.
E këtë ide të Konjfcës duket se opozita janë të gatshëm ta përkrahin, edhe pse diçka konkrete as nga partia në pushtet e as nga vetë krye-kuvendari ende nuk ka.
“Kuvendi i Kosovës duhet të ideojë dhe besojë që në forumet e Partisë Demokratike do ta shqyrtojmë. Sepse duhet të krijohet një trup mbikëqyrëse e Kuvendit, me mandat nga Kuvendi që do ta shoh punën e këtyre Dhomave, pasi që ky kuvend i ka dhënë ligjshmërinë e punës atyre”, ka thënë Hisen Berisha.
Sipas deputetit të PDK-së, partia e tij ka gati rekomandimet për ndryshime ligjore se si mund të kërkojë Kosova llogari nga Gjykata Speciale
“Ne e kemi dhënë si iniciativë në Grup do të krijohet nga ekspertët por edhe nga vet ne deputetët që kemi njohuri në fushën juridike, do ta krijojmë qoftë si amendamentin në formë të ligjeve ose edhe forma tjera”, shtoi Berisha.
Por, derisa pozitë e opozitë kërkojnë llogaridhënie, sipas avokatëve të licensuar në speciale kjo gjë është gati e pamundur.
I vetmi organ sipas ligjit në fuqi, që mund të vërtetojë shkeljet e mundshme të Speciales është Këshilli Evropës në të cilën Kosova ende nuk është anëtare.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, të gjithë të pandehurit që janë duke u ballafaquar me akuzat e Dhomave të Specializuara, do të kenë mundësi juridike që vendimet e formës së prerë të Dhomave të Specializuara t’i drejtohen gjykatës për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë avokati Artan Qerkini.
Krerët e UÇK-së gjatë ditës së hënë i ka vizituar edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.