Të martën e 28 qershorit, liderët e Aleancës Veriatlantike (NATO) do të mblidhen në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën ka thënë se në samitin treditor do të arrihet pajtueshmëri për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve antidronë dhe naftës.
Përmes një video-linku, pjesëmarrës do të jetë edhe presidenti ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të mbajë një fjalim para liderëve të NATO-s dhe aleatëve të saj.
Në anën tjetër, temë diskutimi do të jetë edhe bllokada e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në këtë organizatë të rëndësishme.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se dy shtetet po strehojnë terroristë, duke iu referuar anëtarëve të Partisë së Punës të Kurdistanit.
Turqia aktualisht është i vetmi shtet që e bllokon anëtarësimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO.
Në samit pritet të ndryshojnë edhe qëndrimet zyrtare për Rusinë, pasi prej vitit 2020, aleanca e sheh Moskën si partnere strategjike.
“Kjo gjë nuk do jetë kështu në konceptin strategjik për të cilin do të pajtohemi në Madrid”, ka thënë Stoltenberg duke shtuar se pret që aleatët ta shohin qartë që Rusia “përbën kërcënim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë, vlerat tona dhe rregullin ndërkombëtar të bazuar në ligj”.
Në këtë samit, i cili hapet me një darkë pune më 28 qershor, do të marrin pjesë edhe liderë të shteteve që nuk janë pjesë e NATO-s, përfshirë liderët e Koresë Jugore dhe Japonisë, në cilësinë e vëzhguesve, shkruan REL.
Spanja po e organizon samitin në 40-vjetorin e pranimit të saj në NATO. Më 30 maj të 1982-s, ajo u bë vendi i 16-të që iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Në grupin e vendeve anëtare të NATO-s është edhe Shqipëria, që u anëtarësua në vitin 2009.