Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas ftesës që ka pranuar nga kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se procesi i Vettingut duhet të implementohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias.
Krasniqi në një konferencë për media, ka theksuar se për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias”, është shprehur Krasniqi.
“Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, shtoi ai.
Pos dakordimit të partive politike, për Krasniqin i domosodoshëm është edhe një konsensus i gjerë midis shoqërive civile dhe ekspertëve të fushës.
“PDK, si parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme”, shtoi ai.