Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka pranuar takimin nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për procesin e Vettingut, pasi sipas tyre ky takim është i panevojshëm në hapësira të tjera, duke thënë se nga ana e tyre kontributi do të ofrohet vetëm në Kuvendin e Kosovës.
Qëndrimin e LDK-së e ka bërë të ditur zëdhënësja politika e LDK-së, Sibel Halimi, për Portalin Dukagjini.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”, ka deklaruar Halimi, për Portalin Dukagjini.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka pranuar ftesën nga Kurti, duke i dhënë mbështetje reformës për drejtësi, pasi sipas tyre zhvillimi procesit të Vettingut nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se procesi i Vettingut duhet të implementohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias.
Kransiqi në një konferencë për media, ka theksuar se për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias”, është shprehur Krasniqi.