Zëvendësministri i arsimit në Kosovë, Dukagjin Popovci, lidhur me projektligjin për tekstet shkollore, ka thënë se tekstet shkollore nuk janë fajtore për rezultatet në testin PISA, por është një faktor ndikues.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Pupovci ka thënë se tekstet shkollore janë një faktor ndikues, por jo edhe determinantë kryesore në rezultatet e këtij testi.
Sipas tij, MAShTI i përzgjedh recensentët, dhe ata siç thotë ai, ndikohen nga shtëpia botuese.
Pupovci: E rëndësishme që e drejta autoriale t’i kalojë ministrisë
Ai ka thënë se përgjegjësinë për tekstet shkollore e bart autori, e pastaj edhe shtëpia botuese që e përzgjedh.
“Recensentët e kanë për detyrë të korrigjojnë gabimet në libra, por nganjëherë nuk e bëjnë siç duhet, por ata janë njerëz tanë, nuk janë të jashtëm”, ka thënë Pupovci.
Sipas Pupovcit, faji për cilësi nuk duhet të hidhet te recensentët, sepse ata punojnë me ato libra që i propozohen.
Ai ka thënë ndër të tjera se, të drejtat autoriale duhet të kalojnë te Ministria e Arsimit.
“Nuk është problemi te shtëpia botuese, dhe te autorët, por te e drejta autoriale, ne duam që me këtë projektligj, të drejtat autoriale të kalojnë te Ministria e Arsimit, sepse bëhet një konkurencë e shëndoshë mes librave shkollorë”, ka përfunduar Pupovci.
Ndërsa, analisti Visar Ymeri ka thënë se, nëse problemi është me sektorin publik të arsimit, atëherë sipas tij, mësimdhënësit qenkan të korruptueshëm, drejtorët e shkollave qenkan të korruptueshëm, punëtorët e Ministrisë së Arsimit qenkan të korruptueshëm dhe recensentët qenkan të korruptueshëm.
“Tash në këto raste a i shtohen përgjegjësitë sektorit publik apo shkon duke i minimizuar përgjegjësitë e sektorit publik se tash në krejt këtë vorbull të njerëzve të manipulueshëm ne po e marrim edhe një përgjegjësi shtesë si shtet e si institucion shtetëror edhe shtypjen e librave me pretendim që do ta përmirësojmë cilësinë e tyre”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, këto përgjegjësi që nuk janë të dikujt tjetër, por të Ministrisë së Arsimit.
Ai ka thënë se tekstet cilësore janë mënyra më e mirë për të arritur te cilësia në arsim.
Sipas tij, duhet të ketë shtim të stafit brenda MAShTI-t, për botimin e librave shkollorë.
“Sepse centralizimi do të nënkuptonte ose shtim të stafit përbrenda MAShT-it, d.m.th. sektorit të botimit të librave shkollorë, sepse nuk është çështje as e thjeshtë as që bëhet prej një numri të vogël të personave, sepse ka një rrjet të tërë që merret me këtë çështje”, ka shtuar Ymeri.
Sipas Ymerit, shtimi i kontakteve mes sektorit privat dhe atij publik i shton mundësitë e korruptimit.
“Me këtë metodë të propozuar me ligj, këtu nuk përfundon vetëm me dorëzimin e tekstit të autorit, por ka një rrjet të tërë të njerëzve ose të profesionistëve për të dalë një tekst final dhe të gjitha këto kontraktohen, p,sh botimi mund të jetë, pastaj ilustrimi dhe përgaditja teknike”, ka përfunduar Ymeri.