Mbi shtatë mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili njëherësh ishte iniciues për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, i cili nuk u votua nga Kuvendi i Kosovës, e ka akuzuar kryeministrin e vendit Albin Kurti, dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se me qëllim i kanë shtypur kërkesat e qytetarëve.
“Ndonëse Kryeministri Kurti, shfaqi gatishmëri që këtë të drejtë kushtetuese t’ua mohojë deputetëve duke i trajtuar ata si teknokratë apo robotë të Albinit, kërkesat e qytetarëve nuk mund të shtypen me arrogancën e numrave të pushtetit. Kush hyn në garë kundër qytetarëve çdoherë do të jetë humbës”, kishte thënë Haxhiu.
Njëri nga organizatorët, Afrim Berisha, ka thënë se mjetet duhet të tërhiqen, pasi kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për ta.
Sipas tij, interesimi i qytetarëve për të nënshkruar është i madh dhe se për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve janë në disa komuna të Kosovës.
“Nënshkrimi i peticionit për Trustin është duke shkuar në rregull. Njerëzit janë shumë të interesuar. Jemi duke punuar qe tri ditë prej orës 11:00 deri në pra 22:00 në mbrëmje. Janë nëpër pika të Kosovës, Lipjan, Prizren, Fushë-Kosovë, dhe sipas informatave afro 7000-8000 janë që kanë nënshkruar. Po presim deri të premten dhe të shikojmë interesimin e qytetarëve”, ka thënë ai për EO.
Ndryshe, më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Kategorikisht, kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, deputetët e opozitës, thirreshin në pasojat e krizës ekonomike që ka ndikuar në vend.
Sipas tyre, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.