Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dhënë një propozim lidhur me masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se propozimi i tyre është i thjeshtë dhe konkret.
“Kemi të bëjmë me dy masa konkrete, fillimisht reduktimi i akcizës dhe TVSH-së së derivateve në një periudhë tremujore me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë sipas rrethanave, si dhe të zgjerohet lista e produketeve me TVSH të reduktuar”, ka thënë Mustafa.
Siç thotë Mustafa, një gjë të tillë e lejon edhe ligji.
Ai ka theksuar se inflacioni në Kosovë ka tejkaluar 12.5 për qind.
“Po flasim për muajin maj, po presim dhe të dhënat për muajin qershor, me gjasë do të jenë edhe më të larta. Ky inflacion në disa produkte ushqimore ka kaluar deri në 83 për qind”, shtoi ai.
“Çmimi i derivateve përbën diku 70 për qind të çmimeve të produkteve ushqimore, njëkohësisht rritja e çmimit të derivateve rrit çmimin ose koston e transportit duke rritur njëkohësisht koston ose çmimin e thuajse të gjitha produkteve në treg”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar partitë opozitare për bojkotim të angazhimeve konstruktive në procesin e votimeve në seancat plenare.
Sipas saj, angazhimi i kuvendit në një situatë hipotetike kur pozitë e opozitë të përbashkuar për të dalë mëtanë fitues nga pasojat e përmendura nuk është aktualitet në Kosovë.
“Aktulaisht në Kosovë opozita në kuvend bojkoton angazhimin konstruktiv në procesin e votimeve në seanca plenare, ndërsa në sferën e propozimeve të ofruara ka ide të cilat jo që nuk kontribuojnë në stabilitetin financiar të vendit apo lehtësojnë jetën e qytetarëve por këtu na ndodh e kundërta”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se kundërshtimi i opozitës dhe rrëzimi i marrëveshjes ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës së ndihmës sociale në Kosovë ka efekt negativ te 25 mijë familje kosovare, që sipas saj do të ndikoheshin direkt nga kjo reformë dhe 20 mijë përfitues të papunë të cilët do të ishin pjesë e programit në vlerë prej 47 milionë euro.
“Grupi ynë parlamentar propozon që të inicohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë ato të cilat janë të përcaktuara edhe me ligjin e TVSH-së dhe të cilat janë në normën 8 për qind. Në këtë listë të produkteve hyjnë, drithërat, kripërat, sheqeri, produktet e qumështit, vaji për ushqim, vezët dhe disa produkte të tjera bazike”, ka thënë Kusari.
Ajo ka potencuar se mbështetja e qeverisë për bizneset prodhuese vazhdon, dhe siç thekson deputetja Kusari-Lila shihet që është e vetmja mënyrë për të zbutur efektet e ndikimit nga jashtë që ndikojnë në rritjen e çmimeve te produktet bazë.
Tahiri drejtuar Qeverisë: TVSH të hiqet komplet në gjashtë muajt e ardhshëm
Ndërsa Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), ka thënë se Qeveria po neglizhon marrjen e veprimeve për krizën ekonomike të cilën po kalon Kosova për shkak të rritjes së çmimeve.
“Opozita e ka ftuar këtë debat për rritjen e cmimeve. E fajësojmë Qeverinë për neglizhencën në veprime, pra opozita para se të kritikojë ka ofruar alternativa”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, tatimi i vlerës së shtuar(TVSH) duhet të hiqet komplet për gjashtë muajt e ardhshëm.
“Heqja e TVSH-së ka qenë alternativë nga grupi parlamentar i PDK-së dhe është refuzuar nga VV”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se si alternativë nga opozita kanë qenë projektligji për rregullimin e produkteve medicinale dhe ligji për paga minimale.
“Banka Botërore thotë që varfërimi në çdo familje vjen nga blerja e barnave”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij, ngritja e cmimit të energjisë elektrike është e pabazuar, sepse kriza energjetike nuk e ka prekur Kosovën.
“Ne i kemi mbuluar nevojat, me prodhimin tonë të brendshëm”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.
Sipas Tahirit, në pesëmujorin e parë janar-maj të vitit 2021, për 287 milionë litra naftë, janë paguar 32 milionë euro taksa, ndërsa në pesëmujorin e dytë të vitit 2022, janar-maj, 263 milionë litra naftë janë paguar taksa 54 milionë euro.
Pra sipas tij, ky është efekti i ngritjes së çmimeve dhe inkasimit të të hyrave.
Ai, po ashtu, ka kërkuar që të rishikohet akciza e naftës, sepse ka efekt zinxhiror në ekonominë e Kosovës.