Ndërmarrja Trepça u bën ofertë punëtorëve për pensionim të parakohshëm me pagë 60 për qind dhe shkëputje vullnetare të kontratës me përfitim që t’i marrin 24 paga.
Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës ka thënë se kjo ofertë nuk është e detyrueshme.
‘’Në Trepçë është përfolur se po ofrohet një ofertë për një pensionim të parakohshëm, ndërsa një pjesë për ta shkëputur marrëdhënien e punës nga ata punëtorë që janë më të ri”, ka thënë Osmani për Telegrafin.
Gjithashtu, ai shpjegon se të gjithë ata që e shkëpusin kontratën deri në vitin 2026 do të marrin 60 për qind të pagës.
“Kjo ofertë nuk është e detyrueshme. Njëra mundësi është punëtorët e vjetër që të dalin në pension deri në vitin 2026, të marrin 60 për qind të pagës. Oferta e dytë është se kush e shkëput kontratën pas 2026-së do t’i marrin 24 rroga dhe nuk ka asgjë me Trepçën’’, ka shpjeguar Osmani.
Kryetari ka theksuar se sindikata është e interesuar që ta zgjidhë çështjen e pensioneve dhe pikave të tjera të parapara në Kontratën Kolektive.
“Për të pasur më shumë informata ne kemi kërkuar një takim me Bordin e Trepçës edhe me kryeshefin. Ne si Sindikatë jemi të interesuar që ta zgjidhim çështjen e pensioneve të rregullta, në bazë të Kontratës Kolektive, dhe disa kërkesa që i kemi pasur më herët. Sindikata jonë është për ato pikat për njohjen e pensioneve deri në 70 për qind për moshën mbi 50 vjeçare, për invalidët e punës, stazhin e benifituar, sigurimin shëndetësor në punë, njohja e stazhit prej viteve 1989-1999”, ka përfunduar Osmani.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me punëtorët e Telekomit të Kosovës, si pjesë të reformave e ristrukturimeve të brendshme.