Ragmi Mustafi ka thënë se Shaip Kamberi i ka siguruar votat e mjaftueshme për deputet në Parlamentin e Serbisë.
Mustafi që njëherësh është kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ka thënë se mobilizimi i duhur ka bërë që Kamberi të marrë votat e nevojshme.
“Tashmë sipas vlerësimit të shtabit, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës nga mobilizimi dhe organizmi janë votat e mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Parlament. Megjithatë tashmë është në duart e komisionerëve, të cilët do të administrojnë votën, përkatësisht numërimin e votave”, ka thënë ai për Rtv Dukagjinin.
Mustafi ka bërë të ditur se Kamberi ka marrë 630 vota, të cilat i mjaftojnë për t’u zgjedhur deputet.
Sipas tij, ky numër mund të shkojë deri në 650 ose më tepër.
“Sipas vlerësimeve tona kemi siguruar votat, përkatësisht numrin e votës dhe përfundimin e këtij procesi. Diku 630 vota, shohim sipas vlerësime tona, kur të hapen kutitë e votimit”, ka thënë ai.
“Duke i llogaritur edhe ata që kanë votuar nga shtëpitë mund të shkojë 650, ose mund të jenë afër 700 vota”, shtoi Mustafi.
Zgjedhjet për herë të fundit janë mbajtur më 27 maj në Tërnoc të Luginës për parlamentin e Serbisë, ku deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme.
Këto zgjedhje janë përsëritur më shumë se tri herë për shkak të parregullsive të ndryshme, në qendrën e vendvotimit.