Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se së bashku me avokatin e kësaj partie, Faton Fetahu, të premten e një korrikut kanë dërguar ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës(KPK) në Gjykatën Kushtetuese.
Ky ligj është miratuar në Kuvend ditë më parë.
Përmes një konference për media, Tahiri ka deklaruar se ky ligj cenon pavarësinë e gjyqësorit të Kosovës, dhe se me anë të këtij ligji, po shtrihet ndikimi i politikës në KPK.
“Që prej themelimit të institucioneve, nuk kemi pasur tendencë të kapet KPK, sikurse me këtë ligj nga mazhoranca e VV-së”, ka thënë Tahiri.
Sipas Tahirit, ky ligj bie ndesh me gjashtë nene të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Me argumentet që ka sjellë PDK, konsiderojmë se është bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetuesen”, ka shtuar ai.
Sipas tij, në mes të dy leximeve nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Ju e dini që tashmë ka ndryshuar edhe përbërja e Këshillit me ligj të ri, vendimmarrja është e varur direkt nga prezenca e njerëzve të politikës që dërgohen përmes Kuvendit. Tashmë ka degraduar komplet, tashmë edhe një zyrtar që i ka kryer nja 7-8 vjet pune si zyrtar mund të bëhet anëtar i KPK-së. Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, ka shtuar Tahiri.
Ndërkaq, të mërkurën e 29 qershorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka informuar se ka bërë kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit të ndryshuar për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
E për këtë, Bedri Gashi, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në emisionin “Five” të RTV DUKAGJINI, kishte thënë se kjo kërkesë është bërë pasi ka pasur shkelje kushtetuese dhe ligjore.
Sipas Gashit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë pjesë në grupet punuese në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, duke shprehur gjitha rekomandimet, por siç thotë ai, asnjë nga ato qëndrime dhe komente të KPK-së nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë futur në ligjin e ndryshuar të KPK-së.