Të martën e 2 korrikut, shënohet përvjetori i miratimit të Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës.
Me 2 korrik të vitit 1990, 114 delegatë të pjesëve të ndryshme të Kosovës, e kishin miratuar publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti, dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për pavarësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, e me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.
Kjo datë është konsideruar si gurthemeli i shtetit të Kosovës, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Federatës Jugosllave.