Përfundimisht festivali i muzikës “Sunny Hill”, do të mbahet në Kosovë. Tashmë është caktuar edhe lokacioni për edicionin e sivjetmë, dhe ai do të jetë parku i Gërmisë.
Në një deklaratë të përbashkët mes Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, thuhet se për shkak të hapësirës së kufizuar në parkun e Gërmisë, edhe kapaciteti i pjesëmarrësve do të jetë i tillë.
“Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë e linjës në Qeverinë e Republikës së Kosovës janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme”, thuhet në njoftim.
“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali”, ka vijuar njoftimi.
Po ashtu, në njoftim thuhet se hapëisra që do të merret në shfrytëzim, pas përfundimit të festivalit, do të pastrohet në afat rekord. Ky edicion do të mbahet me datat katër, pesë, gjashtë dhe shtatë gusht të vitit 2022.