Përfaqësuesit e partive opozitare e kanë rikujtuar përvjetorin e 32-të të Deklaratës Kushtetuese, të mbajtur në vitin 1990.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka shprehur mirënjohje delegatëve, të cilët kishin marrë pjesë në mbledhjen e vitit 1990.
“Respekt e mirënjohje për të gjithë delegatët e Kosovës që në kushte e rrethana të vështira, sot 32 vjet më parë, i dhanë orientim të ardhmes së pashmangshme të Kosovës, si shtet i lirë, demokratik e i pavarur”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka shkruar për ngjarjen historike të vitit 1990.
Ai përmes një shkrimi në Facebook e ka uruar datën e dy korrikut, të cilën e ka quajtur “Dita e Deklaratës së Pavarësisë”.
Sipas tij, ky veprim politik “bëri kthesën historike në angazhimet e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci”.
Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkruar se “Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një gur në themelet e lirisë, e cila u jetësua disa vite më pas nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.