Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka arritur të dielën në Kosovë.
Nën masa të rrepta të sigurisë nga EULEX dhe Policia e Kosovës, Gucati është parë përgjatë rrugës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku Gjykata Speciale e ka lejuar të vizitojë të ëmën e tij, e cila është duke u trajtuar në QKUK.
“Z. Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Gjykata Speciale në përgjigjen e saj për Portalin Dukagjini.
Ndër të tjera, para dy muajsh, Gucati kishte qëndruar në Kosovë për të vizituar babain e tij, i cili po trajtohej në spitalin e Mitrovicës. Mirëpo, në varrimin e babit të tij nuk ishte lejuar që të marrë pjesë.
Pas 3 ditësh, ai kishte vizituar varrin e të atit të ndjerë.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim.