“Pushimet e para pa kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kështu ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në Facebook, i cili ka shpërndarë një video, ku shihen pritjet e gjata në kufi.
Në kohën kur pushuesit nga Kosova po marrin rrugën drejt Shqipërisë për pushime, tashmë ata nuk do të përballen me ndalesa në kufi.
Kryeministri Rama, ka shkruar se më nuk do të ketë radhë të gjata.
“Dhe kështu tash e tutje, përvit e për krejt vitin”, shtoi ai.
Ndërkohë, më 20 qershor të këtij viti, në mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, është rënë dakord për një marrëveshje që siguron që deri më 30 shtator për çdo fundjavë dhe festë zyrtare, qytetarët të mos regjistrohen nga policia e dy palëve.
Tanimë, çdo fundjavë gjatë sezonit veror, në pikat kufitare nuk do të ketë asnjë ndalim për kontroll dokumentesh apo policor.
Ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së përbashkët kishte bërë me dije se protokolli i parë ka të bëjë me kalimin kufitar.
“Nga data 1 qershor deri më 30 shtator, për çdo fundjavë dhe festa shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare, në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”.
Çuçi theksoi se kur ka fluks të lëvizjeve nga të dyja krahët “ne do ta lehtësojmë plotësisht”.
Pas takimit të tetë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, janë nënshkruar 19 marrëveshje.
19 marrëveshjet që u nënshkruan në mbledhjen e Qeverive Kosovë-Shqipëri