Pas raportimit se ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është përfshirë në një përleshje me dy policë, të cilët mbetën të plagosur, ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Për Çitakun, sulmi ndaj policisë së Kosovës është i papranueshëm në çdo situatë.
Ajo, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka kërkuar nga institucionet përkatesë që të reagojnë në zbatim të ligjit.
Por, Çitaku, nuk la pa përmendur edhe Lushtakun, të cilit i është drejtuar duke i thënë “turp të qoftë Nuredin Lushtaku”.
“Të sulmosh policinë e Kosovës duhet të jetë e papranushme në çdo rrethanë.
Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit”, ka shkruar ajo, duke shtuar se “banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen”.
“Askush mbi ligjin. Pikë”, shkroi Çitaku.
Ndryshe, avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini, e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini se klienti i tij, ish-gjenerali Lushtaku, është liruar nga stacioni policor pas intervistimit për dyshimet se mund të ishte i përfshirë në plagosjen të dy policëve të Kosovës.
Ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, dyshohej se ishte përfshirë në plagosjen e dy zyrtarëve policorë në mëngjesin e së dielës. Mirëpo, lidhur me këtë, ai ka thënë për Portalin Dukagjini se nuk do të japë deklaratë deri në përfundimin e hetimeve nga Policia e Kosovës.
Portali Dukagjini ka arritur të kontaktojë me avokatin e ish-gjeneralit Lushtaku, i cili ka thënë se ky i fundit është liruar në mungesë të dyshimeve të arsyeshme.
“E kam vizituar zotin Lushtaku, ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë”, ka thënë ai, gjersa ka theksuar se policia do t’i zhvillojë hetimet.
Mëngjesin e së dielës, Lushtaku e ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor për Portalin Dukagjini.
I pyetur nëse ka të tjerë të arrestuar në lidhje me incidentin, Qerkini ka thënë se ai përfaqëson vetëm klientin e tij dhe askënd tjetër.
“Nuk e di për të tjerët, nuk mund të flas për të tjerët, sepse unë mund ta përfaqësoj vetëm një të dyshuar, në këtë rast zotin Nuredin Lushtaku, për të tjerët nuk kam informacion”, ka thënë ai.
Flet avokati i ish-gjeneralit Lushtaku: Ai është liruar, nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm