Dehidratimi, mbinxehja dhe lodhja ekstreme janë disa nga rreziqet kryesore që mund të sjellë vala e të nxehtit. Ato mund të ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjeve me zemrën dhe frymëmarrjen.
Shenjat e lodhjes nga nxehtësia përfshijnë dhimbje koke, marramendje dhe konfuzion, humbje të oreksit, djersitje të tepruar, lëkurë të zbehtë, ngërçe në krahë, këmbë apo stomak.
Mënyra më e mirë është të qëndroni në ambiente të freskëta.
Këshilla për ta përballuar motin e nxehtë
Është shumë e rëndsishme të qëndroni të hidratuar.
Pini shumë ujë, edhe nëse nuk ndiheni të etur. Shmangeni alkoolin e tepërt.
Qëndroni larg diellit gjatë pjesës më të nxehtë të ditës. Nëse duhet të dilni jashtë, veshni një kapelë. Aplikoni rregullisht krem kundër diellit.
Asnjëherë mos lini dikë në automjet të mbyllur dhe të parkuar, veçanërisht fëmijët dhe kafshët.
Shmangni ushtrimet në pjesët më të nxehta të ditës, dhe nëse jeni duke udhëtuar sigurohuni që të merrni ujë me vete.
Veshni veshje me ngjyra të hapura dhe të lirshme, të bëra nga fibra natyrale si pambuku dhe liri.
Hani vakte të ftohta më shpesh, si sallatat, dhe sigurohuni që ushqimi që ka nevojë për frigorifer është i ruajtur siç duhet.
Kush janë personat më të rrezikuar?
Personat më të rrezikuar janë ata të moshës mbi 65-vjeçare. Pos tyre, të rrezikuar janë persont që vuajnë nga diabeti, sëmundje të veshkave ose mendore.
Po ashtu, gratë shtatëzëna dhe nënat gjidhënëse, foshnat dhe fëmijët e vegjël, personat me mbipeshë ose obezë, konsiderohen si persona që duhet t’i shmangen daljes gjatë ditës kur bën vapë e madhe.