Gjykata e Lartë e Cyrihut, ka dënuar të martën me katërmbëdhjetë vjet burgim, një grua të moshës 55 vjeçare me prejardhje nga Kosova, nën akuzat për tentim vrasje të bashkëshortit të saj, ka raportuar “20 minuten”.
Përveç kësaj, në vendimin e gjykatës thuhet se, kosovarja duhet të largohet nga shteti i Zvicrës për dymbëdhjetë vjet.
Sipas gjykatës, deklaratat e bëra nga gruaja, nuk ishin të besueshme. “Motivi ishte xhelozia dhe thyerja e krenarisë”, kishte thënë gjykatësi në aktgjykim.
“Burri ishte shumë afër vdekjes”, ka thënë gjykatësi.
Gruaja akuzohet se në prill të vitit 2018 kishte tentuar që përmes një pije helmuese që e kishte përgatitur vetë, ta vriste bashkëshortin e saj, që ishte pesë vjet më i ri.
Për shkak të helmimit, bashkëshorti i saj kishte rënë në gjumë të thellë. Në mëngjes gruaja kishte tentuar ta mbyste me kabllo, por, vrasjen nuk kishte arritur ta realizonte sepse e kishin penguar dy fëmijët e tyre.
Avokati i gruas kishte kërkuar të reduktohet dënimi në katër vjet burg, duke arsyetuar se veprimet i ka kryer e ndikuar nga xhelozia dhe ndjenja për hakmarrje.
“Ajo i ka dhënë atij hapa të gjumit për ta larguar atë nga vetja. Nuk kishte dashur ta vrasë atë.”, ka thënë ai.
Po ashtu, dënim ka marrë edhe burri i saj. Ai u shpall fajtor për mashtrim dhe u dënua me pesë muaj burg.