Të hënën e katër korrikut, një delegacion nga Finlanda dhe Irlanda do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Ky delegacion kryesohet nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Ata do të kenë takim me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin.
Sipas njoftimit, ky takim do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar në ora 08:45.
Ndërsa, ministrja finlandeze, Tuppurainen, e cila viziton për herë të parë Kosovën, gjatë ditës së djeshme në një intervistë për KP, ka thënë se të rinjtë kosovarë e meritojnë të udhëtojnë lirshëm brenda Bashkimit Evropian, gjë e cila deri më tani u është mohuar.
Ajo ka thënë se Finlanda mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Pos kësaj, Tuppurainen ka deklaruar se Finlanda është pro anëtarësimit të Kosovës edhe në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ndërsa më 3 qershor, në margjinat e Forumit të Bratisllavës, “GLOBESEC 2022” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte takuar me ministren finlandeze, të cilën e ka falënderuar për përkrahjen dhe kontributin që ka dhënë Finlanda për Kosovën që nga viti 1999 e tutje, sidomos në arsim, shëndetësi dhe të drejta të njeriut.