Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të Finlandës ndaj Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt liberalizimit të vizave.
Sipas Tuppurainen, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave mirëpo prapë mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i cili nuk posedon liberalizimin.
“Ne kemi mbështetur iniciativën, jam optimiste që ne do të vazhdojmë përpara në këtë çështje në muajt në vijim. Ndoshta në vjeshtë do të shohim rezultate më të mira”, ka thënë ministrja finlandeze.
Ndër të tjera, për çështjen e reciprocitetit të targave, ajo ka preferuar të mos japë mendim.
“Nuk është në anën time të ju tregoj çfarë të bëni por sido që të jetë, unë e shoh si një manovër te re, sepse lufta që Rusia ka shkaktuar në Ukrainë ka treguar që ju i përkisni perëndimit”, ka theksuar ajo gjersa ka shtuar se Kosova ka zgjedhur anën e drejtë të historisë.
Përkrah saj, një mbështetje për liberalizimin e vizave ka ardhur edhe nga ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Ai ka thënë që megjithëse Irlanda nuk është pjesë e Shengenit, mbështetja e saj për Kosovën është e garantuar.
“Ne mbështesim fuqimisht prespektivën tuaj evropiane dhe atë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Të hënën e 4 korrikut, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin ka mirëpritur një delegacion nga Finlanda dhe Irlanda të kryesuar nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Bislimi ka falënderuar të dy vendet mike, Finlandën dhe Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme.
“Folëm për të arriturat e Kosovës që rezultojnë nga marrëveshja e stabilizim asocimit, marrëdhëniet e Kosovës duhet të forcohen me Irlandën dhe Finlandën, kemi diskutuar edhe për rritjen e investimeve direkte nga këto dy vende në Kosovë”, ka thënë Bislimi.
Bislimi: Anëtarësimi i Finlandës në NATO duhet të bëhet sa më shpejt, e të pasojë me Kosovën