“Nuk kam asnjë dyshim që Kosova do të jetë e suksesshme në këtë aspekt. Kriteret janë plotësuar, vlerat evropiane i ka gërshetuar, nuk ka kuptim të diskutojmë më”, kështu ka thënë presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai këtë e ka thënë në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas Pahor, Sllovenia ka përkrahur Kosovën vazhdimisht në proceset eurointegruese drejt BE-së.
“Si e dimë të gjithë, ne ndajmë një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Pahor.
Pahor ka thënë se ndërmjet këtyre dy vendeve është thelluar bashkëpunimi ekonomik dhe bashkëpunimi bilateral.
Dialogu Kosovë-Serbi
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Pahor ka thënë se Sllovenia është vend mik i të dyja vendeve.
Sipas tij, duhet të ketë rezultat në implementim të marrëveshjeve, jo vetëm pajtim në ato çështje.
“Kjo do të ishte e rëndësishme, sepse do të jepte shpresë për të gjitha vendet në rajon, që çdo gjë zgjidhet me dialog”, ka shtuar Pahor.
Sipas tij, Kosova është duke i forcuar vlerat demokratike të Kosovës për t’u renditur në vlerat evropiane.
Ndërsa në këtë konferencë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Sllovenia në çdo sferë ka mbështetur Kosovën dhe është zë i fortë i këtij vendi në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit drejt BE-së.
“Integrimi drejt BE-së ka qenë rruga e vetme që ne kemi ecur dhe do të ecim në të ardhmen”, ka thënë Osmani.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se procesi është duke vazhduar.
“Gjatë korrikut, do të kemi takim të kryenegociatorëve. Kemi bërë marrëveshjen për energji dhe progres në marrëveshjen për reciprocitet të targave”, ka shtuar Osmani.
Sipas Osmanit, Kosova në këtë dialog është palë kreative dhe konstruktive, dhe më këtë qasje siç thotë ajo, do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Ajo shpreson që me mbështetjen e Sllovenisë, të ketë liberalizim të vizave për Kosovën.
“Siç u theksua nga presidenti slloven, ne kemi përmbushur kriteret qysh moti, kështu që presim për një vendim final në muajt e ardhshëm”, ka shtuar Osmani.
Osmani: Sllovenia vazhdon të jetë zë i fortë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën