Qeveria e Kosovës, të hënën e katër korrikut, ka mbajtur mbledhjen e 86-të.
Në këtë mbledhje u mor vendimi që Qeveria e Republikës së Kosovës të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij hyrës.
“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk merr shumë kohë. Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, për të evituar pritjet në kufi ajo mund të blihet edhe online para se të niseni. E pasi ta kenë blerë bashkatdhetarët tonë policën, ata mund të aplikojnë për rimbursim të pagesës në formularin po ashtu online të Ministrisë së Financave”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, ai ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) është duke punuar në strategji dhe në ligjin për diasporë.
“Gjatë gjithë vitit kabineti Qeveritar ka zhvilluar “Dialogun me Mërgatën” dhe një proces i tillë do të vazhdojë deri në fund të vitit. Janë duke u pilotuar për herë të parë programet për angazhimin e potencialit ekonomik, shkencor e profesional të mërgatës në kuadër të MPJD-së”, ka bërë të ditur Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se po punohet për herë të parë për të jetësuar koncept-dokumentin për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe certifikimin e gjuhës.
Po ashtu, edhe për ndërlidhjen e politikave për mërgatën me nivelin lokal, e për këtë siç thotë ai është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit me Asociacionin e Komunave për Diasporë.
Sipas njoftimit, po ashtu është duke u pilotuar alternativa kulturore për komunitetin shqiptar dhe joshqiptar jashtë vendit, në mënyrë që të ketë një ndërlidhje me komunitetin edhe përmes artit dhe kulturës.
Gjithashtu, në kuadër të reformës së brendshme, MPJD ka krijuar mekanizma të rinj për të adresuar kërkesat dhe problemet e mërgatës në raport me shërbimet të cilat i ofrojnë misionet diplomatike.