Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin nga shteti i Iowa-s, i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme, ushtarakë, akademikë e gazetarë.
Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi është theksuar potenciali për rritje të bashkëpunimit midis palëve.
“U theksua potenciali për rritje të bashkëpunimit dhe u bisedua për krijimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë, ekonomi, tregti dhe teknologji të informacionit, si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në takim është veçuar bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak.
“U vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak dhe ai në fushën civile, ndërsa u veçua bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dyja vendeve”, vijon njoftimi.
Ish-gjenerali Orr, në emër të delegacionit të lowa-s, është falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për partneritet.
Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefin e Misionit në Konsullatën e Iowa-s, Artan Duraku, është potencuar gatishmëria e Qeverisë e Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe forcuar partneritetin, në të gjitha fushat zhvillimore.
Ndryshe, edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim delegacionin nga shteti i lowa-së, të cilët aktualisht po qëndrojnë për vizitë në Republikën e Kosovës.
Të hënën, gjersa i ka falënderuar për vizitën, zëvendëskryeministrja ka thënë se miqësia dhe lidhja e ngushtë me shtetin e lowa-s është shumë e rëndësishme dhe e çmuar për Republikën e Kosovës.
Ndër të tjera, Gërvalla ka thënë se vizita e tyre shërben si një konkretizim i bashkëpunimit mes dy shteteve njëherësh, shërben për forcimin edhe më tej të lidhjes mes dy shteteve duke pasqyruar një mundësi të mirë për të mësuar nga njëra-tjetra, dhe për të shkëmbyer përvoja të ndryshme.
Të dyja palët kanë shkëmbyer dhurata në shenjë falënderimi e miqësie.