Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me një delegacion të kuvendit të Kosovës, në vizitën e saj në Hagë, janë takuar me të akuzuarit në Gjykatën Speciale, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, si pjesë e delegacionit, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kjo vizitë ishte institucionale dhe e rëndësishme.
“Së bashku me nënkryetaren e kuvendit, Saranda Bogujevci, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetin Erxhan Galushi, dje takuam Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin, kurse sot, Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn”, ka shkruar ai.
Rrustemi ka theksuar se në këto takime janë njoftuar nga afër me kërkesat, trajtimin dhe aspektet e tjera që ndërlidhen me gjykatën.
Arsyet e mostakimit të ministres Haxhiu me Thaçin e Veselin nuk janë bërë ende të ditura.
Pak kohë para nisjes drejt Hagës, Haxhiu kishte deklaruar se ndonëse vullneti i saj qëndron që të takohet me të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po akuzohen në Hagë, ajo nuk është pranuar për takim nga Thaçi e Veseli.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse Gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ishte deklaruar ministrja Haxhiu për RTV Dukagjini.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur të pakuptimtë dhe të padrejtë kërkesën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për takimin me ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Albulena Haxhiu para se të niset në Hagë do të duhej fillimisht t’i kërkonte publikisht falje Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që i quajti kriminel. Nëse nuk kërkon falje publike kërkesa për t’i takuar liderët e UÇK-së është e pakuptimtë dhe e padrejtë”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Kësaj kërkese i është bashkuar edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili teksa ka kujtuar deklaratat e ministres Haxhiu, ka thënë se e njëjtat fillimisht duhet t’iu kërkojë falje krerëve të UÇK-së.
“Haxhiu dhe Vetëvendosja së pari duhet të kërkojnë falje për atë çfarë kanë thënë për zotin Thaçi dhe Veseli. Mos të harrojmë që Albin Kurti, më herët, thoshte ‘Hashim shko në Hagë’, e tash po bënë gjoja se po do t’i mbrojë”, është shprehur Lushtaku për EO.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të cilët gjenden në Hagë, po akuzohen se, të njëjtit, kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020.
Ata po akuzohen se në mes të marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999, kishin kryer krime të luftës kundër njerëzimit, duke ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i keqtrajtuar, torturuar dhe zhdukur.
Pos tyre, në paraburgim po mbahen edhe Pjetër Shala e Salih Mustafa që së fundmi ka pasur seanca.
Në paraburgim janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj si krerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës, nën akuzën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare e frikësim gjatë procedurave penale.