Të enjten e 31 marsit, dy persona e kanë humbur jetën si pasojë e një aksident trafiku në rrugën Drenoc-Malishevë.
Lajmin për RTV Dukagjini, e ka konfirmuar drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
“Sot, rreth orës 11:00 në fshatin Drenoc të Malishevës, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin ishin të përfshira dy vetura, ku kanë mbetur të vdekur dy persona, të cilët ishin ngasësit e automjeteve”, ka thënë ai.
Sipas Graishtes, në këtë aksident nuk ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
Ai ka bërë të ditur se, menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe emergjenca.
Po ashtu, Graishta ka thënë se, lidhur me rrethanat që kanë sjellë deri te aksidenti, janë duke u marrë njësitet përkatëse.
“Njësitet e stacionit policor në Malishevë, trafiku rajonal dhe prokurori, janë në vendngjarje”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Graishta ka potencuar se aktualisht nuk ka detaje të tjera.