Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën e 5 korrikut ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e biznesit holandez të cilët operojnë në Shqipëri.
Në këtë takim, kryeministri Rama ka treguar se kompania holandeze “SHELL” ka zbuluar sasi të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri.
Sipas Ramës, zbulimi i sasive të naftës dhe gazit do të ndikojë në të ardhmen e vendit dhe atë energjetike të Evropës, raporton “a2news.com”, transmeton “Portali Dukagjini”.
“Holanda e pranishme në Shqipëri. Ne kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin tonë publik, rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që “Shell” po arrin në vendin tonë”.
Rama ka shtuar se hezitojnë për momentin të flasin për shifra.
“Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës në nëntokë, që do të ndikojë në të ardhmen e vendit tonë, por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”.
Belinda Balluku, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, ka shprehur entuziazëm për rezultatin e eksplorimit të SHELL.
“Sa i takon energjisë, SHELL po punon në Shqipëri prej kohësh dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh, por pa na dhënë detaje për atë çka presim. Shqipëria do të prodhojë sasi të rëndësishme gazi dhe nafte, e ndarë në 40% gazi dhe nafte 60%”, ka thënë Balloku.
Delina Ibrahimaj, ministrja e Financave, ka evidentuar lehtësitë fiskale dhe ligjore për investuesit në Shqipëri.
“Çdo kompani hedh sytë nga vendet që kanë stabilitet politik e ekonomik. Shqipëria ka dëshmuar që i ka. Kemi punuar për të krijuar procedura të lehta të aksesueshme e transparente dhe investimi në digjitalizim ka kontribuuar për këtë gjë”, ka thënë Ibrahimaj.