Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe drejt arritjes së këtij qëllimi duhet Procesi i Berlinit.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në panelin me temën ”Evropa juglinore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, që u mbajt në Greqi.
“Besoj se me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berli, mund të ringjallim urën transatlantike, e cila në shekullin 21 është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të. Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe në modeluara sipas EFTA EEA”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Procesi i Berlinit përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.
Për këtë proces ku përfshihen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kancelari gjerman, Olaf Shcolz, kishte bërë të ditur se synon që ta ringjallë si iniciativë.
Ndonëse Procesi i Berlinit është mirëpritur nga Kosova, një gjë e njëjtë nuk po ndodh edhe me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku aktualisht bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e veriut dhe Serbia.
Kurti gjatë panelit në Greqi, përsëriti qëndrimin se gjatë këtij viti Kosova do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Ai ka theksuar se nëse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor futen brenda BE-së, kjo do të ishte një barrë më e vogël për unionin evropian.
“Nëse Ballkani Perëndimor vazhdon të qëndrojë jashtë BE-së do të bëhet shumë atraktive për t’u shndërruar në fushëbetejë për superfuqi të ndryshme dhe askush nuk e do këtë. Kam shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë”, shtoi Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka folur edhe për situatën në Ukrainë.
Ai ka thënë se që nga dita e parë si Qeveria e Kosovës ka dënuar agresioni rus.
“Që nga dita e parë ne kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë. Nga këndvështrimi jonë ajo çfarë po bënë sot Rusia është fashizëm dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm. Fatkeqësisht ne tash jemi duke u përballur me fashizmin rus, dhe sot ti nuk mund të jesh neutral në mes zjarrit dhe zjarrfikësve. Neutraliteti sipas këndvështrimit tonë është cinizëm dhe nuk ka vend për neutralitet”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, Kurti ka përmendur edhe Serbinë e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.