“Këtë Telekom e kanë futur në krizë Qeveritë dhe institucionet e Kosovës dhe vetëm ato mund ta nxjerrin nga kriza”, kështu ka thënë Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Telekomit.
Balaj për raportin e fundit nga Zyra Kombëtare e Audimit, e që ndërmarrja publike me humbjen më të madhe është “Telekomi i Kosovës”, ka thënë se auditorët e kanë dhënë këtë si shenjë të keqmenaxhimit në vazhdimësi.
I ftuar në emisionin “Five”, ka thënë se kjo humbje ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit edhe në kohët e kaluara, për shkak të borxheve të trashëguara.
“Kontratat e dëmshme që nënshkruhen, telekomi ka operuar me fitim, e kjo ka ardhur për shkak të borxheve të stërngarkuara”, ka thënë Balaj.
Sipas tij, kjo humbje ka ardhur edhe si pasojë e borxheve të grumbulluara që është dashur të paguhen ndaj ish-kompanisë Z-Mobile.
“Ndoshta kanë shkuar edhe në rrugë që nuk është dashur të shkojnë pa nevojë, sigurisht që e përkrahim cdo veprim që duhet këta njerëz të dalin para drejtësisë”, ka thënë Balaj nëse ka pasur ndonjë keqmenaxhim me këto borxhe.
Ndërsa për bordin e Telekomit, ai ka thënë se nuk është një bord profesional, sepse siç thotë ai, ende nuk është shënuar ndonjë sukses.
“Sa i përket bordit të drejtorëve nuk kemi aq raporte, e kam thënë në media ky bord më së paku është dashur të jetë pjesë e Telekomit të Kosovës, nuk është profesional, ka brenda që janë profesional, por një pjesë e tyre nuk janë profesional”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ky bord nuk e ka ndonjë sukses, sepse siç thotë ai, punëtorët e sindikatës janë detyruar që të ulin pagat e tyre që të ketë më pak manipulime në Telekom.
Ai ka thënë se bordi aktual i Telekomit qëndron në hije, pasi menaxhmenti është i mirë.
“Një anëtar i bordit, kur ka ardhur të konkurojë në Telekom, ka menduar që shiten vetëm numra dhe mbushje në Telekom”, ka thënë Balaj duke ironizuar mosprofesionalizmin e bordit në fjalë.
Ai ka thënë se ka pasur edhe raste që për keqmenaxhim në Telekom janë ngritur kallëzime penale në Prokurori dhe Policinë e Kosovës, e që në dy raste prej tyre zyrtarisht iu është kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare.