Ramiz Shala, ish-drejtor për Gjeodezi në Komunën e Skënderajt, ka thënë se për rastin “Lushtaku”, është bërë shumë zhurmë në media.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Shala ka thënë se e vërteta nuk është thënë akoma, sepse në këtë vend Gjykata kompetente nuk e ka thënë të vërtetën ende.
“Në rastin përkatës me datën përkatëse, ka ndodhur një prej veprave penale e që janë të përfshirë tre qytetarë e dy policë, në raste të tilla mediat janë pasqyra në të cilat duhet të pasqyrohet e vërteta bazuar në fakte”, ka thënë Shala.
Sipas tij, bazuar në raportin zyrtar të Prokurorisë së Shtetit, në 24 orët e fundit, ka shumë raste dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë, dhe siç thotë ai, asnjëri nuk është prezantuar në media.
Ndërsa, për këtë ka replikuar analisti Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se Nuredin Lushtaku është person publik, interesi më i madh i mediave është se çfarë ndodh me personat publikë.
Sipas Mushkolajt, ka interes të madh publik të dihet se çfarë ka ndodhur në këtë ngjarje e jo të relativizohet ngjarja që sipas tij po e bën Shala.
” Zotëri Lushtaku është person publik, lum na që e kemi”, ka thënë Shala duke iu kundërpërgjigjur Mushkolajt.
Ndërsa Mushkolaj ka thënë se Shala nuk është personi kompetent që tregon se çfarë duhet të publikohet në media.
Sepse sipas tij, Shala po e relativizon ngjarjen, duke mos qenë pronar i së vërtetës.
Shala, për policin Enver Smakiqi, ka thënë se ka dhjetra raste në të cilat ka shkaktuar “Bela”, e që sipas tij, nuk duhet të bëhet gjyqi publik pa u ditur e gjithë e vërteta dhe ecuria e ngjarjes.