Parlamenti Evropian e ka miratuar të mërkurën rezolutën për Kosovën e cila ishte prezantuar nga raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Vramon.
Aty thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen e ndërsjellë”.
Kjo është hera e parë që njohja e ndërsjellë përmendet në një dokument zyrtar të BE-së. Por kjo nuk do të thotë se këto lloj dokumente janë të obligueshme për t’u zbatuar nga BE-ja.
Dokumenti në fjalë u votua nga 639 eurodeputetë, 505 ishin pro, 80 kundër dhe 54 prej tyre kanë abstenuar.
Raportuesja për Kosovën, Von Cramon, e ka theksuar nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe nevojën për dialog me Serbinë.
Po ashtu, në këtë raport përfshihet edhe solidarizimi i Kosovës me Ukrainën, sundimi i ligjit dhe kërkesa për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Parlamenti Evropian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!”, ka deklaruar von Cramon.
Von Cramon, ka thënë se i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajcak, e ka përkrahjen e plotë të BE-së, për të ndërmjetësuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.