Opozita kërkon shkarkimin e bordit të ZRrE-së, pozita e kundërshton

Kuvendi i Kosovës ka në rend të ditës mocionin e LDK-së, për shkarkimin e bordit të ZRrE-së. Kundër këtij mocioni ka dalë partia në pushtet kurse pro të gjitha partitë opozitare

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e opozitës, kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, të votojnë pro shkarkimit të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky bord nuk ka arritur t’i mbushë objektivat e tyre dhe t’i mbrojë interesat e qytetarëve.

Zemaj ka folur edhe për shtrenjtimin e rrymës elektrike gjatë stinës së dimrit, ku sipas tij kjo është bërë në mënyrë të paligjshme nga bordi i ZRre-së.

“Ka dy vendime gjyqësore për këtë çështje. Ky bord të shkarkohet dhe të emërohet një bord profesional i pavarur nga politika”, ka thënë Zemaj.

Edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, e ka mbështetur mocionin e propozuar nga LDK-ja, për shkarkimin e bordit të ZRrE-së.

Ai ka thënë se bordi në fjalë ka manipuluar me shifra, dhe i ka fshehur eksportet e rrymës që sipas tij janë bërë me urdhër të tyre.

“Pasojat e këtyre vendimeve kanë bartur një kosto të lartë financiare. Këto mjaftojnë që ky bord vetë të japë dorëheqje e jo ne të bëjmë kërkesa për shkarkimin e tij. Këto janë fakte të mjaftueshme për ta shkarkuar sot këtë bord dhe për ta zgjedhur një bord të ri të pavarur”, ka thënë Shala.

Kundër këtij mocioni, është shprehur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila. Ajo ka thënë se arsyetimet për shkarkim nga LDK, nuk janë të bindshme dhe se sipas saj ka shpërputhje në raport me dispozitat që i parasheh ligji.

Kusari–Lila ka thënë se bordit aktual të ZRrE-së, opozita po mundohet t’ia faturojë problemet e krijuara që 20 vjet.

“Po mundohet që t’i faturohet situata 20-vjeçare një bordi që ka mandat 1-vjeçar. Duke përmendur të gjitha faktet dhe duke përcjellë ndjeshmërinë në situatën e energjisë, GP i LVV-së nuk e mbështet mocionin dhe rrjedhimisht do të votojë kundër”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, për shkak të mungesës së kuorumit prapë Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojnë Raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

Po ashtu, nuk pati kuorum as për votimin e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave dhe as për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021 nuk pati kuorum.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika