Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s.
E para e vendit ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm duke theksuar se uniteti transatlantik është i domosdoshëm.
“Në takim me përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s në Këshillin Veri-Atlantik, të cilët janë duke vizituar vendin tonë, ju shpreha mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm, duke nënvizuar se uniteti transatlantik është i domosdoshëm për ta garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë kundër qëllimeve dashakeqe të Rusisë dhe satelitëve të saj”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe zv.kryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë këtij takimi kanë ritheksuar përcaktimin strategjik të shtetit dhe popullit tonë për anëtarësim në NATO, duke filluar me pjesëmarrjen në Programin e Partneritetit për Paqe.
Kosova është e gatshme ta japë kontributin e saj për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë. Në këtë drejtim, do ta shtojmë e thellojmë bashkëpunimin dhe koordinimin me shtetet aleate dhe me NATO-n, ka shkruar Osmani.