Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, i ftuar në emisionin “Debat Plus” ka folur për vendimet e mira të qeverisë Kurti 2. Sipas tij, qeveria Kurti 2 i ka bërë katër veprime shumë të mira, siç janë “ndalimi i referendumit dhe i zgjedhjeve serbe në Kosovë, vendimi për letërnjoftimet dhe reciprociteti për targat”.
Sipas Gashit, këto vendime janë normale për të nxitur reagime të liderëve serbë.
“Presidenti i Serbisë për shkak të këtyre vendimeve, kishte reaguar duke thënë se ‘mund të ketë luftë’, por këto janë vendime administrative, të cilat në kushte normale nuk sjellin luftë”, është shprehur Gashi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Tutje, ai ka thënë se këto vendime, sipas tij, të mira të qeverisë Kurti 2, “janë cilësuar si provokime nga Beogradi, dhe ata në mënyrë të koordinuar e kanë dërguar Milan Radojçiqin pas deklaratave kërcënuese për luftë të presidentit të Serbisë”.
Për Gashin, qeveria Kurti 2 këto vendime i ka marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.
Ai ka shtuar se qeveria ka bërë punë të mira, por “në veri ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët marrin pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë”.
Ai ka përfunduar duke e shtruar pyetjen se a ka marrë shteti i Kosovës ndonjë masë ndaj tyre.
Sipas Gashit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk duhet të tolerohen që të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, sepse kjo sipas tij, është cenim i sigurisë kombëtare të shtetit, dhe këta policë është dashur që të shkarkohen.
Tutje, ai është shprehur se në një shtet normal këta policë është dashur të akuzohen për tradhti kombëtare. Sipas tij, ministri i Punëve të Brendshme nuk duhet të jetë i kënaqur me disa vendime të mira e që të krenohet, por duhet të jetë vigjilent për sigurinë kombëtare.