Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, është qëlluar të premten përgjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, ku një burrë i armatosur hapi zjarr ndaj tij nga prapa.
Policia ka bërë të ditur se një burrë 41-vjeçar i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre në qytetin perëndimor të Narës është arrestuar, transmeton “Reuters“.
Agjencia e lajmeve “Kyodo” dhe “NHK” kanë thënë se Abe, 67-vjeçar, dukej se ishte në një gjendje arresti kardiak kur u transportua me avion në spital, pasi fillimisht kishte qenë i vetëdijshëm.
“Një akt i tillë barbarie nuk mund të tolerohet,” u ka thënë gazetarëve kryesekretari i kabinetit, Hirokazu Matsuno, duke shtuar se Abe ishte qëlluar rreth orës 11:30 të mëngjesit.
Ai ka thënë se nuk e di gjë për gjendjen aktuale të Abe-s.
“NHK” tregoi video të Abe-s duke bërë një fjalim fushate jashtë një stacioni treni, kur u dëgjuan dy të shtëna, pas së cilës pamja u errësua për pak kohë dhe më pas zyrtarët e sigurisë u panë duke ndihmuar një burrë në tokë.
“Në fillim mendova se ishin fishekzjarre”, ka thënë një kalimtar i rastit për NHK.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar si Tetsuya Yamagami, banor në Nara. Mediat thanë se ai kishte shërbyer në ushtrinë japoneze.
Abe shërbeu dy mandate si kryeministër për t’u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, përpara se të jepte dorëheqjen në 2020 për shkak të shëndetit të keq.
Por, atij i ka mbetur një prani dominuese mbi Partinë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet, duke kontrolluar një nga fraksionet e saj kryesore.
Mbrojtësi i tij, kryeministri Fumio Kishida, shkon në zgjedhjet e së dielës për dhomën e lartë, me shpresën, thonë analistët, të dalë nga hija e Abe, dhe të përcaktojë postin e tij të kryeministrit.
Kishida pezulloi fushatën e tij zgjedhore, pas të shtënave ndaj Abe-s.
Qeveria ka thënë se nuk ka në plan të shtyjë zgjedhjet, por shumica e partive kryesore ndaluan fushatat e tyre.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Japoni, Rahm Emanuel, kishte postuar të premten në rrjetin social, Twitter, duke thënë se ishte “i pikëlluar dhe i tronditur” pas vrasjes së mundshme të Shinzo Abe.
安倍晋三元首相の銃撃事件を受け、深い悲しみを覚えるとともに大きな衝撃を受けています。安倍さんは日本の優れた指導者であり、米国にとって揺るぎない盟友でもあります。米国政府と米国民は、安倍さんのご無事を願うとともに、ご家族と日本国民が安心できるよう祈っています。 https://t.co/pXPYyxlCjU
— ラーム・エマニュエル駐日米国大使 (@USAmbJapan) July 8, 2022