Partitë opozitare në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë kërkuar qasje në dokumentacionet e nevojshme për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, raporton EO.
Aty u vendos që të ftohen për intervistim ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Rizvanolli do të intervistohet më 15 korrik, ndërsa Murati më 20 të po atij muaji.
Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj, propozoi datat për intervistimin e dy ministrave.
“Ministrja Artane Rizvanolli ka kërkuar ta shtyjmë sepse është në vizitë. Unë propozoj që sot një javë të jetë mbledhja e radhës për zonjën Rizvanolli. Për zotëri Murati nuk kemi marrë përgjigje. Propozoj që të premten e ardhshme ta intervistojmë ministren Rizvanolli me datën 15 korrik në ora 11:00, ndërsa të mërkurën me datën 20 korrik në ora 13:00 ministrin Murati”, tha Selmanaj.
“Kam kërkuar listën e ndërmarrjes dhe kërkesa tjetër që t’i drejtohemi thesarit për qarkullimin e lëvizjes së parasë gjatë kësaj periudhe dhe komunikimet ndërmjet ZRrE-së dhe ministrisë të diskutohen të mërkurën”, ka thënë tutje Selmanaj.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar dokumentacionin e ministrive përkatëse edhe të ZRrE-së.
“Konsideroj që duhet ta kemi listë të ndërmarrjes brenda mandatit të komisionit hetimor, licencat e tyre, kohën etj. Dokumentacionin e punës së kompanive e shohim kontributin e ZRrE-së në task-forcë. Është e rëndësishme të kemi dokumentacionin sepse nuk mund ta rikthejmë prapë ministren. Dokumentacioni që po kërkoj nuk ka ardhur te asnjë nga ne. Kërkojmë dokumentacionin nga ministri dhe ZRrE-ja. I vetmi mekanizëm që të sqarohet janë dokumentacionet”, ka thënë Shala.
Kërkesa për qasje në dokumentacion, u pa i drejtë edhe nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
“Sa i përket kërkesës së zotëri Shala ka të drejtë. Nuk kemi komision hetimor me faza, por mund të hetojmë gjithçka çka na kërkohet e që shkon në fazë të hetimeve. Kërkesa për dokumentacionin mes ministrit dhe ZRrE-ja është e nevojshme. Ne kemi drejt të kërkojmë dokumentacion dhe nuk e di pse gjithë ky insistim mos të ketë”, tha ai.
Ndërsa deputeti i VV, Enver Haliti, ka thënë se nuk është i nevojshëm dokumentacioni shtesë.
“Po mendoj që së pari duhet të caktohen ekspertë. Kështu që ia vështirësojmë punën më shumë eksperteve për hartimin e raportit final. Ne si komision do ta kemi të drejtën për dokumentacion shtesë dhe për atë punë jemi këtu. Nuk është i nevojshëm për dokument shtesë. Duhet ta kemi edhe thesarin”, tha ai.
Por deputeti i LDK, Besian Mustafa, ka thënë se kërkesë e tyre ka qenë që ta kenë dokumentacionin që iu mungon dhe jo shtesë.
Aty u bë edhe një ndërrim i deputetëve të PDK-së, ku nga sot në këtë Komision do të jetë Abelard Tahiri në vend të Eliza Hoxhës.
Ndërsa më 10 qershor, është mbajtur mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për dyshimet rreth keqpërdorimit të energjisë elektrike nga viti 2006-2022, i themeluar nga Qeveria e Kosovës, e si rrjedhojë nuk është votuar lista me emra të dëshmitarëve që do të thirren për intervistim.
Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni janë përmendur ish-kryeministrat dhe ministrat aktualë dhe të kaluar në institucionet përkatëse.
Dështon lista e dëshmitarëve që do të intervistohen nga Komisioni hetimor për energjinë