Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka dekretuar 48 gjyqtarë të rinj, në pajtim me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka bërë të ditur se kryesuesi i saj, Albert Zogaj, u ka uruar mirëseardhje gjyqtarëve, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me gjyqtarët, me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor. Ai ka kërkuar nga gjyqtarët e rinj përkushtim dhe angazhim sa më të lartë.
“Me këtë përbërje të sistemit gjyqësor, së bashku do t’i japim një kthesë të rëndësishme sistemit gjyqësor brenda një periudhe të shkurtër sepse na presin sfida të mëdha, mirëpo nuk kam dilemë se të gjithë ju do të bëni një punë të mirë”, ka thënë kryesuesi Zogaj.
Para se të dërgohen te Presidentja për emërim, bazuar në ligjet në fuqi, kandidatët për gjyqtarë i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, proces të cilin e ka udhëhequr KGJK.
Gjyqtarët e rinj të emëruar sot, do të shpërndahen në shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.