Bordi i Drejtorëve i Kompanisë “Pastrimi”, në një mbledhje të jashtëzakonshme ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kompanisë, Burim Kelmendin.
Sipas konstatimi të bordit, Kelmendi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Ramës, një gjë e tillë është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë.
Tutje, thuhet se vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022.