Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se pas shtimit të rasteve të raportuara me barkqitje dhe të vjella në Komunën e Kaçanikut, kanë marrë mostra të ujit në lokalitetet ku ka pasur raportime për të infektuar.
Nga këto mostra, sipas Msh-së, rezultatet kanë bërë të ditur se mostrat e ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm.
“Nga mostrat e ujit të marra, analizat bakteriologjike kanë treguar se këto mostra të ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim.
Sipas Msh-së, të gjithë të infektuarit, janë trajtuar dhe tashmë janë në gjendje më të mirë shëndetësore dhe nuk janë referuar për hospitalizim.
Po ashtu, kjo ministri ka bërë të ditur se “Nga data 5 korrik 2022 deri më sot në QKMF Kaçanik kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 192 qytetarë, prej të cilëve shumica janë me simptoma të njëjta si: temperaturë, ethe, barkqitje, vjellje, mundim”.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK), ka dalë me këto rekomandime:
. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109),
- Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt,
- Të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor,
- Të monitorohet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e klorit (Cl) rezidual,
- Marrja e të gjitha masave prë njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar,
- Si rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni“.
Në fund, njoftimi i Msh-së, thotë se kjo ministri bashkë më IKShPK-në, do ta përcjellin gjendjen e krijuar me vëmendje.
Msh-ja u bën thirrje qytetarëve të Kaçanikut, që deri në eliminimin e të gjitha problemeve me ujin, ta vlojnë atë pastaj ta përdorin.