Musk njoftoi në dokumentet ligjore se do të anulonte blerjen e Twitter-it që kushtonte 44 miliardë dollarë. Avokatët e tij kanë shkruar se Musk, besonte se Twitter e mashtronte atë mbi shkallën e madhe të pranisë së “bots” dhe llogarive të rreme në platformë dhe se marrëveshja ishte e pavlefshme.
Por Twitter thotë se e konsideron marrëveshjen të jetë ende aktive dhe se do t’i kërkojë Musk ta blejë kompaninë siç u diskutua më parë.
“Bordi i Twitter-it është i përkushtuar të mbyllë transaksionin për çmimin dhe kushtet për të cilat është rënë dakord me zotin Musk dhe ka në plan të ndjekë veprime ligjore për të zbatuar marrëveshjen e bashkimit”, shkroi në Twitter Bret Taylor, drejtor i Twitter.
“Ne kemi besim se do të triumfojmë në Gjykatën e Delaware”, vijoi ai.
Në një letër drejtuar Komisionit të Letrave me Vlerë, Musk tha se Twitter “nuk ka përmbushur detyrimet e tij kontraktuale” në lidhje me marrëveshjen, përkatësisht duke i dhënë atij informacion të mjaftueshëm për të “bërë një vlerësim të pavarur të prevalencës së llogarive false ose të padëshiruara në platformën e Twitter”.