Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar festën e Kurban Bajramit me ç’rast ka thënë se një ditë e tillë është dita e duhur për të rikujtuar domosdoshmërinë e ndarjes së të mirave me të tjerët.
“Të jesh afër në mirësi e të ndash aq sa ke me të tjerë në vështirësi, është pasuri njerëzore. Sot, derisa gjejmë veten të rrethuar me miq, fqinj e familjarë, përderisa shënojmë dashurinë dhe sakrificën tonë ndaj Zotit – le të përpiqemi për mirësi e mbarësi të përditshme e të pashtershme. Për vendin e shtetin; për shoqërinë dhe për njëri-tjetrin”, ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.
Ndër të tjerë, Ramush Haradinaj nga radhët e AAK-së ka uruar Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë shqiptarët myslimanë.
“Me fat ju qoftë Bajrami i Vogël!”, ka shkruar Haradinaj, në Facebook.
Urimet për ditën e sotme nuk kanë munguar as nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Të gjithë qytetarëve të besimit islam në Kosovë, me fat festa e Kurban Bajramit”, ka shkruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Me rastin e festës, Krasniqi ka takuar Tërnavën, të cilin njëherësh, e ka përgëzuar për punën e deritanishme.
Ndër të tjera, ai ka përmendur udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë, të cilët i ka uruar nga larg për festën e Kurbanit Bajramit.
“Mendjen e kemi tek udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Gjykatën Speciale të cilëve shfrytëzoj rastin të ua urojë nga larg festën me shpresë që t’i kemi shpejtë në mesin tonë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Krasniqi.
Manifestimi ka filluar në orën 04:20, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit kanë filluar ligjërata tematike kushtuar kësaj feste të shenjtë të Islamit.