Nga 1.78 euro për litër sa ishte të premten, çmimi i naftës për ditën e shtunë ka rënë për dy cent, në 1.76 euro për litër.
Në publikimin e përditshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përveç çmimit të naftës, rënie ka pasur edhe çmimi i benzinës, nga 1.72 euro për litër sa ishte të premten, të shtunën ka rënë në 1.69.
Ministria në fjalë, pritet t’i publikojë çdo ditë çmimet tavan apo maksimale të lejuara për shitjen e derivateve.
Ky vendim është marrë si masë lehtësuese, pas rritjes së çmimeve të derivateve, dhe dyshimeve për keqpërdorime nga kompanitë që shesin derivate.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, menjëherë pas vendimit të Qeverisë për të vendosur një çmim “tavan”, për derivatet, ka bërë thirrje për respektim të tij, por sipas tij, Qeveria apo Ministria nuk i kanë kalkuluar mirë çmimet.
Çmimi i derivateve ka pësuar rritje për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Në Kosovë, çmimi i naftës kishte arritur deri në 1.89 euro për litër.