Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Bliken, dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrel, përmes një deklarate të përbashkët, kanë thënë se avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, do ta forconte kontinentin evropian.
Blinken dhe Borell kanë theksuar rëndësinë e hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë moment kritik të historisë evropiane, i shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian”, thuhet në deklaratën e tyre.
Në letrën e tyre, thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të gjejnë rrugë bashkëpunimi dhe kompromis, për t’i zgjidhur problemet e tyre.
“Ne mirëpresim një propozim kompromisi që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok”, thuhet në deklaratën e tyre
“Vendimi sovran i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik”, vijon deklarata.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë probleme me historinë respektivisht gjuhën. Bullgaria pretendon se historia e Maqedonisë së sotme, është e përbashkët me atë të Bullgarisë deri në vitin 1944, po ashtu, ata pretendojnë se gjuha e Maqedonisë së Veriut, është degë e bullgarishtes.
Ndërkaq, këto pretendime nuk i pranojnë maqedonasit, ata thonë se gjuha e tyre është autoktone dhe po ashtu historia, është e ndarë nga ajo bullgare.
Për shkak të këtij konteksti, shteti bullgar po e bllokon anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Meqenëse, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë propozuar që të hyjnë së bashku në BE, vetoja e Bullgarisë përveç Maqedoninë e Veriut, është duke e bllokuar edhe Shqipërinë.