Ish-kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero, ka thënë se përgjatë kohës së tij si kryeqeveritar, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishin përmendur Kosovën vazhdimisht nëpër takime.
Në një intervistë për mediumin spanjoll ‘El Dario’, Zapatero i pyetur për vendimin e kryeministrit aktual spanjoll, Pedo Sanchez, që të mbështesë autonominë marokene, dhe se a është në një linjë me SHBA-të, ka përmendur një përvojë pjesë e së cilës, ishte edhe Kosova.
“Unë gati tetë vitet sa isha në qeveri, nëse kishte një temë që nuk u shfaq kurrë në tryezën dialoguese, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, ishte tema e Marokut. E kujtoj mjaft mirë se Kosova ishte obsesion i madh i Shteteve të Bashkuara me Spanjën, për shembull. Sigurisht, Amerika Latine, Afganistani, Iraku, pa dyshim. Por jo, Maroku nuk ishte. Dhe nuk mendoj se është tani”, kishte thënë Zapatero.
Megjithëse Spanja nuk e njeh akoma pavarësinë e Kosovës, kryeministri aktual i saj, Pedro Sanchez, ka thënë se e përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Spanja ka një qëndrim konstruktiv, dhe ne jemi të hapur për miratimin që do të mundësonte liberalizimin e vizave për kosovarët”, kishte thënë Sanchez, në konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Evropian.
Më 6 tetor të vitit të kaluar, ai deklaroi se tashmë Spanja do të ishte pjesë e të gjitha forumeve përkundër refuzimeve të saj për të marrë pjesë në forumet, në të cilat bënte pjesë edhe Kosova.
“ Tani, Spanja duhet të marrë pjesë në të gjitha forumet”, kishte thënë ai.