Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Lluzhan të Podujevës.
Sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, në aksidentin e ndodhur në Lluzhan, pasditen e së dielës janë përfshirë katër automjete.
“Rreth orës 13:10 policia ka pranuar një informatë për një aksident trafiku me persona të lënduar që është shkaktuar në fshatin Lluzhan, Podujevë. Të përfshira në këtë aksident ishin katër automjete, përderisa raportohet se tretman mjekësor kanë kërkuar katër persona të lënduar”, ka thënë ai për portalin Dukagjini.
Ndërsa, rreth orës 13:50 është raportuar një tjetër aksident trafiku në Vranidoll, si pasojë e të cilit, kanë mbetur të lënduar tre persona.
Ndërkaq, në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.
Një aksident tjetër ka ndodhur në rrugën Pejë-Prishtinë, afër fshatit Bresje, si pasojë e të cilit, një person ka marrë lëndime trupore.
“Sot në mesditë në rr. Pejë -Prishtinë afër fshatit Bresje, është shkaktuar një aksident në trafik- vetaksident me dëme materiale dhe lëndime trupore, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Raportohet se një person ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka bërë të ditur Hoxha, për Portalin Dukagjini.
Përmes Portalit Dukagjini, Zëdhënësi i Policisë, Hoxha ka kërkuar që drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm në vozitje dhe të shmangin përdorimin e celularit përgjatë vozitjes si dhe vetëvozitjen në qoftë se janë nën ndikimin e alkoolit.