Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës ka përkujtuar masakrat e Srebrenicës.
Kurti, në lidhje më gjenocidin serb, tha se gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të paraqitur egërsinë dhe johumanitetin e krimeve.
“Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë”, ka shkruar Kurti.
Më tej ai shtoi se ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë nuk është asgjë më pak se gjenocid, dhe shenjëstrim i qëllimshëm i viktimave.
“E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 vjetësh nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre’, ka shtuar Kurti.
Gjithashtu, Kurti përmendi edhe numrin e burrave dhe djemve të vrarë, dhe të tjerëve të shpërngulur më dhunë.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara”, ka shkruar mes të tjerash Kurti.
Kurti përmendi edhe mohimin e krimit në Srebrenicë nga ana e Serbisë.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia”, ka thënë mes të tjerash Kurti.
11 korriku shënon ditën që përkujton të vrarët në Srebrenicë, dhe çdo vit në Qendrën përkujtimore të Potoqarit, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit, varrosen në këtë datë.