Fakti se një numër i konsiderueshëm i mjekëve kosovarë po largohen nga Kosova duket se ka rënë në vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Gazeta zvicrane “Blick” ka raportuar se më shumë se 200 mjekë largohen nga Kosova çdo vit drejt vendeve si Gjermania dhe Austria dhe kjo, si shkak i pagave të cilat në vende si Gjermania arrijnë deri në 4 mijë franga për muaj.
Niveli mbimesatar i emigrimit të punëtorëve të kualifikuar nga vendet e Ballkanit është rritur dhe përveç mjekëve, një numër punëtorësh ndërtimi po shpërngulen drejt BE-së.
E për këtë vlen po i njëjti shkak, që është rritja e pagave në vendet e BE-së, deri në gjashtë herë.
Sipas, Pleurat Sejdiut, kryetarit të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës me të cilin kishte kontaktuar gazeta zvicerane, Kosova është në rrezik serioz për shkak të mungesës së mjekëve.
“Kosova është në rrezik serioz për shkak të mungesës së mjekëve. Këtë vit tashmë në Gjermani kanë shkuar 108 mjekë dhe 48 specialistë. Në dhjetë vjetët e ardhshme, rreth 2000 mjekë mund të largohen nga shteti ballkanik”, kishte thënë Sejdiu.
Në një deklaratë në muajin mars, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte thënë se mjekët po ikin nga vendi për punë dhe një jetë të dinjitetshme.