Mbidozimi i një burri britanik me vitaminën D është një paralajmërim për njerëzit që po mendojnë të shtojnë suplemente në jetën e tyre, sipas një punimi të botuar të martën, transmeton “CNN“.
Pas një vizite me një nutricionist privat, britaniku filloi të merrte më shumë se 20 suplemente pa recetë çdo ditë, duke përfshirë 50 mijë njësi ndërkombëtare (IU) të vitaminës D, tri herë në ditë. Kjo është një dozë qindra herë më e lartë se rekomandimet standarde ushqimore.
Brenda një muaji, burri filloi të vuante nga të përziera, dhimbje barku, diarre dhe të vjella të përsëritura, së bashku me ngërçe në këmbë dhe zhurmë në vesh.
“Burri në fjalë, emri i të cilit nuk u bë i ditur, dëgjoi për suplementet nga një emision radiofonik dhe më pas kontaktoi nutricionistin në emision”, ka thënë Dr. Alamin Alkundi, një bashkautor i raportit dhe një endokrinolog në spitalin William Harvey në East Kent, i cili e trajtoi atë.
Efekti i vitaminës D në Covid-19 mund të ekzagjerohet. Ja çfarë dimë
Ndryshe nga vitaminat e tretshme në ujë, të cilat trupi mund t’i eliminojë lehtësisht, vitamina D dhe kushërinjtë e saj A, E dhe K ruhen në mëlçi derisa të nevojiten. Konsumimi mbi dozën e rekomanduar ditore mund të rritet në nivele toksike.
Burri në studimin e rastit po merrte një dozë ditore prej 150 mijë IU vitaminë D, e cila ishte “375 herë më shumë sesa sasia e rekomanduar”, ka thënë Alkundi.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar zakonisht rekomandon 400 IU vitaminë D në ditë për fëmijët mbi moshën 1 vjeç dhe të rriturit.
Burri ndërpreu marrjen e suplementeve kur filluan simptomat, por gjendja e tij nuk u përmirësua.
Në kohën kur u dërgua në spital dy muaj më vonë, ai kishte humbur 12.7 kg dhe veshkat e tij ishin në telashe.
Testet treguan se ai kishte tepruar me vitaminën D, një gjendje e quajtur hipervitaminoza D.
Nivelet e rekomanduara ditore
Vitamina D është e tretshme në yndyrë, që do të thotë se ruhet në trup. Nivelet e larta të saj mund të jenë toksike.
Trupi ka nevojë për vitaminë D. Puna kryesore e vitaminës është të ndihmojë trupin të thithë kalciumin nga zorrët. Në fakt, trupi nuk mund të thithë kalcium nëse nuk është e pranishme vitamina D.
Vitamina gjithashtu luan një rol në shëndetin e imunitetit, aktivitetin e qelizave të trurit dhe funksionimin e muskujve.
Në Shtetet e Bashkuara, 15 mikrogramë, ose 6 qind IU vitaminë D në ditë, rekomandohet për të rriturit deri në 69 vjeç, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit.
Për të rriturit e moshës 70 vjeç e lart, doza rritet në 20 mikrogramë ose 8 qind IU çdo ditë. Sasia e rekomanduar për foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët u dyfishua kohët e fundit nga Akademia Amerikane e Pediatrisë në 10 mikrogramë ose 4 qind IU në ditë.
Një studim i vitit 2017 zbuloi se 3% e amerikanëve merrnin më shumë se kufiri i sipërm i tolerueshëm prej 4 mijë IU në ditë për të rriturit, duke e vënë veten në rrezik për toksicitet. Rreth 18% merrnin më shumë se 1 mijë IU në ditë.
Një sasi e madhe e vitaminës D në gjak çon në hiperkalcemi, e cila ndodh kur niveli i kalciumit në gjakun tuaj është mbi normalen.
Burri në studimin e lartcekur u diagnostikua me hiperkalcemi, e cila mund të dobësojë kockat tuaja, të krijojë gurë në veshka dhe të ndërhyjë në punën e zemrës dhe trurit tuaj.
Burri u shtrua në spital për tetë ditë dhe u trajtua me ilaçe për të ulur nivelet e kalciumit në gjakun e tij. Një vëzhgim prej dy muajsh më vonë, zbuloi se nivelet e tij të kalciumit në gjak kishin rënë pothuajse në normale. Megithëse niveli i vitaminës D të burrit ishte përmirësuar ndjeshëm, ai ishte ende i lartë, tregon Alkundi.
“U krijua një plan për të monitoruar periodikisht të dy parametrat në klinikë për të gjurmuar nivelet në rënie në nivele normale. Ne kemi pasur kontakt me të dhe ai raportoi se ndihet shumë më mirë, por ende nuk është kthyer në normalitet,” ka thënë Alkundi.
“Ai është shumë i etur që historia e tij të njihet për të alarmuar të tjerët”, thekson ai.
Shenjat e një tepricë të vitaminës D mund të përfshijnë përgjumje, konfuzion, letargji dhe depresion, dhe në raste më të rënda mund të çojë në koma.
Presioni i gjakut mund të rritet dhe zemra mund të fillojë të rrahë në mënyrë të çrregullt. Në raste të rënda, veshkat mund të kalojnë në dështim e njëherësh, dëgjimi dhe shikimi mund të preken.
Ku të merrni vitaminën D
Trupi prodhon vitaminë D të mjaftueshme kur lëkura është e ekspozuar ndaj diellit.
Në fakt, dalja jashtë me rroba banje për 10 deri në 15 minuta gjatë verës “do të gjenerojë 10 mijë deri në 20 mijë IU vitaminë D3 te të rriturit me pigmentim të lehtë të lëkurës”, sipas AAP.
Megjithatë, nuk këshillohet të hyni në rrezet e forta të diellit të mesditës për shkak të rrezikut të kancerit të lëkurës, kështu që dermatologët thonë se është më mirë të përdorni krem kundër diellit nëse do të ekspozoheni për një kohë të gjatë.
Kremrat kundër diellit mund të zvogëlojnë aftësinë e trupit për të përpunuar vitaminën D.
Plotësimi i vitaminës D mund të mos jetë i nevojshëm për shumë fëmijë dhe adoleshentë, pasi shumë ushqime si qumështi, vezët, drithërat dhe lëngu i portokallit shpesh janë të fortifikuara me vitaminë D.
Foshnjat që ushqehen me gji duhet t’u jepen 4 qind IU vitaminë D shtesë në ditë duke filluar në ditët e para të jetës dhe duke vazhduar derisa foshnja të largohet nga qumështi ose formula e fortifikuar me vitaminë D, këshillon AAP.
Nëse merren parasysh suplementet e vitaminës D, nivelet ditore të saj të marra nga ushqimi duhet të merren parasysh në vendim, paralajmërojnë ekspertët.
Përveç ushqimeve të fortifikuara, vezët, djathi, kërpudhat shiitake, salmoni, peshku shpatë, toni, trofta e ylberit dhe mëlçia e viçit përmbajnë vitaminë D.
Kushdo që shqetësohet për nivelet e vitaminës D duhet t’i vlerësojë ato nga një mjek, thonë ekspertët.
“Pacientët inkurajohen të kërkojnë mendimin e mjekëve të tyre të përgjithshëm në lidhje me çdo terapi alternative ose medikamente pa recetë që mund të marrin ose dëshirojnë të fillojnë,” këshillon Alkundi.